Tre të rinj shqiptarë në Britani kanë mbetur në burg pasi në dhjetor 2019 ishin kapur me kokainë me vlerë të lartë pastërtie, e cila nëse shitej në treg do të kapte vlerën e 500 mijë paundëve.

Mësohet se Endri Cena, 26-vjeç, Denis Markeci, 29-vjeç, pranuan se posedonin drogë të cilësisë së lartë me qëllim shpërndarjen e saj, si dhe përdorimin e dokumenteve false.

Ata u dënuan sot me 7 dhe 5 vite e 8 muaj burg secili, ndërsa Dorian Zili, 25-vjeç, u akuzua për posedim të dokumenteve false dhe u dënua me 6 muaj burg nga Gjykata e Bristol të Britanisë.

Të tre shqiptarët janë pa adresë të saktë banimi në Angli, pasi ishin në mënyrë ilegale. Markeci po ecte me një “Golf”, kur u arrestua, ndërsa brenda në makinë iu gjet lënda narkotike. Markeci dhe Cena u përpoqën të shpëtojnë nga policia, por asnjëri nuk ia arriti.

Policia ushtroi kontroll në banesat ku qëndronin përkohësisht shqiptarët dhe gjeti dokumente të rreme identiteti, italiane dhe rumune.

Në total, oficerët gjetën 6.3 kg kokainë me një vlerë rruge 506,000 paund. Një hetues deklaroi se të tilla krime dëmtojnë rëndë komunitetin. Dy burrat do të dëbohen pas përfundimit të dënimeve.