Itali, 6 maj 2014 – Ndonëse rrjeti i spiunëve në Shqipëri të Rojes së Financës Italiane ka pësuar goditje të rëndë pas aksionit të përbashkët “Ajazi-Tahiri” (arrestimi i Shefit të Antidrogës, Dritan Zaganit në Fier), përsëri financierët italianë kanë arritur një sërë suksesesh në sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të drogës të ardhur nga Shqipëria.
Sot në Bari u sekuestruan 36 kg marihuanë në një makinë tip Opel Zafira, e sapo zbritur nga trageti i linjës Durrës-Bari. Droga e ambalazhuar në 57 pako ishte fshehur në paretet e dyerve, prapa kroskotit dhe në gomën rezervë. Vlera e drogës në bazë të çmimit me pakicë shkon në 350 000 euro.
Opeli drejtohej nga një shqiptar 44 vjeçar, me leje të rregullt qëndrimi në Breshia. Ai u arrestua në flagrancë dhe u dërgua në burgun e Barit.
Ndërkohë në portin e Ankonës u arrestua një tjetër shqiptar me 19 kg marijuanë të fshehur në paretet e veturës së tij me targa shqiptare (ne foto droga e kapur në portin e Barit dhe atë të Ankonës). Droga ishte ambalazhuar në 20 pako. Vlera e saj në bazë të çmimit me pakicë shkon në 190 000 euro.
Shqiptari, një person i moshës së tretë, sapo kishte zbritur nga një traget grek i nisur nga Porti i Patrasit. Ai pretendonte se i shoqëruar nga nipi i vet po shkonte në Bergamo për një vizitë te mjeku okulist. Të dy rastet e goditjes me sukses të narkotrafikut janë rezultat i punës së mirë të informatorëve shqiptarë të Rojes së Financës italiane.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





