Çdo qytetar shqiptar mund të pajiset edhe me letërnjoftim dixhital. Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik disa ndryshime në ligj, në të cilat nënvizohet se kjo nuk do të thotë se humbet vlefshmëria e letërnjoftimit fizik aktual.
“Letërnjoftimi mund të jetë në formë elektronike ose dixhitale. Në çdo rast, shtetasit mund të zgjedhin për t’u pajisur me një nga format e letërnjoftimit, ose mund të pajisen njëkohësisht me letërnjoftimin në të dy format, elektronike dhe dixhitale”, thotë Ministria e Brendshme.
Propozimi për kartë dixhitale vjen si rezultat i përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE, si dhe një lehtësim për qytetarët për bashkëpunim me biznese dhe institucione europiane.
“Miratimi i këtij projektligji, do të përmbushë objektivat e qeverisë në drejtim të identitetit dixhital, duke standardizuar identifikimin e qytetarëve në nivel evropian dhe implementuar një identitet dixhital të përbashkët, i cili mund të lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset evropiane. Gjithashtu, një identitet dixhital i përbashkët gjithashtu mund të ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mashtrimeve”, shprehet më tej kjo Ministri.
Pajisja me letërnjoftim dixhital bëhet me të njëjtat procedura që kryhen aktualisht për dokumentin fizik. Identiteti dixhital, si një mjet që mundëson njohjen e një personi në ambientin dixhital, përfshin informacione personale, si emrin, datën e lindjes, adresën, dhe të tjera të dhëna të rëndësishme, duke krijuar mundësinë e sigurimit të një përputhje të lartë të standardeve dhe sigurisë në të gjithë vendet anëtare.