Itali, 24 maj 2014 – Tashmë prej disa vjetësh në Shqipëri ka marrë përmasa shqetësuese vala e vjedhjes së skrapit. Dy vitet e fundit ka pasur 19 viktima të shkaktuara nga shembjet e ndërtesave të vjetra e galerive të minierave apo rënia në korent të mbledhësve apo hajdutëve të skrapit.

Në Itali, kriza ekonomike po shtyn një numër gjithnjë e më të madh njerëzish drejt vjedhjes si mjet mbijetese. Rritja e çmimit të metaleve në bursë e ka shndërruar mbledhjen dhe vjedhjen e skrapit në një biznes mjaft me leverdi edhe në vendin fqinjë. Shqiptarët zënë vendin e parë në këtë “biznes”, ndërsa rumunët renditen të dytët.

Në kuadrin e një aksioni anti hajdutë skrapi të Europolit të quajtur “Action Day”, organet ligjzbatuese italiane, polici, karabinieri, financierë vetëm në tre rajone: Pulje, Bazilikatë dhe Molise arritën këto rezultate:

Ju kapën hajdutëve (shqiptarë, rumunë e italianë) 3,16 ton bakër, 3 ton gizë në formën e kapakëve të pusetave (njëlloj si në Shqipëri), 4 ton sende hekuri, 200 kilogramë alumin dhe 200 kilogramë plumb. Në këtë operacion u arrestuan 2 shqiptarë me precedentë penalë, kryesisht për krime kundër pronës, dhe u denoncuan 8 të tjerë pa precedentë penalë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/