13korrik 2015 – Shërbimi Informativ Shtetëror reagoi sot pas publikimit të lajmit se, ka dashur të blejë programin që mundëson përgjigjet nga komunikimi në celular, mes tyre dhe të dhënat në rrjetet sociale, si: Facebook, WhatsApp, Skype etj. Sipas drejtorit Visho Ajazi, SHISH është në kontakte të vazhdueshme me risitë e teknologjisë, por nuk pranoi e as mohoi që të jenë bërë negociata me kompaninë “Hacking Team” për të përgjuar shqiptarët. Ky fakt u mësua nga Wikileaks, i cili zbuloi se zyrtare të SHISH-it tentuan blerjen e programit të përgjimeve, por u tërhoqën për shkak të çmimit të papërballueshëm.
Ja deklarata e plotë e SHISH:
Referuar trajtimit nga mediat të çështjes së kontakteve të Shërbimit Informativ Shtetëror me kompani që prodhojnë dhe ofrojnë produkte në fushën e sigurisë, sqarojmë se:
SHISH, si edhe Shërbimet e tjera simotra të sigurisë, si pjesë e Sistemit të Sigurisë Kombëtare, në përmbushje të misionit të tij ligjor, merr pjesë në panaire ndërkombëtare për të qëndruar në kontakt me teknologjitë e mbledhjes së informacionit, përfshirë dhe atyre të komunikimeve elektronike. Në këtë kontekst, kontakti me kompani që prodhojnë produkte për sigurinë është një rutinë normale e SHISH.
Nga ana tjetër, për çdo teknologji të re që mund të përdoret nga SHISH në përmbushje të ligjit, kërkohet dhe merret aprovimi i Prokurorit të Përgjithshëm të RSH.
Falë rigorozitetit dhe përputhshmërisë së veprimtarisë së tij me ligjin si dhe me praktikat e tyre më të mira, SHISH është një partner shumë i besueshëm i Shërbimeve aleate në ushtrimin e aktivitetit të tij.
Në interes të informimit të opinionit publik, Ju garantojmë se, SHISH vepron vetëm në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera që rregullojnë veprimtarinë e tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





