Itali, 19 prill 2014 – Në Itali vazhdon konvertimi i butë i shqiptarëve në katolicizëm. Nuk kemi të bëjmë me prozelitizëm vulgar thuajse mesjetar, siç ka ndodhur në Greqi nga 1991 e deri më sot, por gjithsesi konvertime ndodhin. Media italiane “Prealpina” në një artikull të saj njofton për disa pagëzime ekstrakomunitarësh në Provincën e Varezes. Pagëzimet po kryen në kuadrin e Javës së shenjtë, festimit të Pashkëve katolike. Ndër të pagëzuarit ka shqiptarë muslimanë dhe ortodoksë, kinezë taoistë dhe afrikanë paganë.

Majlinda Mehmetaj, 34 vjeçe, banuese në Vareze, e lindur në një familje muslimane do të pagëzohet sot në 19 prill në Katedralen “Duomo” të Milanos nga vetë kardinali Anxhelo Skola (Angello Scola). Në Kishën e Shën Pjetrit dhe Palit në qytezën e Uboldos do të pagëzohet Altjon Mark Nushaj, 30 vjeç dhe Entela e shoqja, 27 vjeç. Të dy ish muslimanë jo praktikantë. Sipas “Prealpina-s”, shtytjen më të madhe për t’u konvertuar e kanë marrë nga mesazhi i Papë Franceskut për të cilin shqiptarët shprehen se është njeri i mrekullueshëm.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/