Një sherr ka ndodhur në burgun Koridallos në Athinë, ku protagonistë kanë qenë dy shqiptarë. Siç raporton Departamenti i Drejtësisë në Greqi, dy shqiptarët që nisën sherrin kanë provokuar edhe përplasje mes grupesh brenda burgut.
Megjithatë sherri mes shqiptarëve është mbyllur pa pasoja dhe ata janë ndarë në qelitë e tyre. Në këtë burg bandat shqiptare dhe ato greke akuzohen se kontrollojnë trafikun e drogës dhe bandat jashtë burgut.
Gjithashtu për këto banda hidhen akuza edhe për disa vrasje të ndodhura brenda qelive. Të gjendur në këtë situatë policia e burgjeve në Greqi ka rritur prezencën e gardianëve në Koridallos. Gjatë përleshjes së shqiptarëve në gatishmëri kanë qenë 4 skuadra të grupit të gatshëm MAT, por ndërhyrja e tyre nuk ka qenë e nevojshme.





