Një gjykatës britanik ka komentuar me ironi ndaj justifikimeve të përsëritura nga shtetas shqiptarë të kapur me drogë, duke vënë në pikëpyetje sistemin shëndetësor shqiptar.
Komentet u bënë pas dy rasteve të ndara, por me arsyetime të ngjashme për përfshirjen në veprimtari kriminale.
Në një seancë në Gjykatën e Lartë të Exeter, u trajtua çështja e Ilber Gjokës, 30 vjeç, i cili u kap duke transportuar kokainë në zonën e Barnstaple, Devon.
Gjatë ndalimit nga policia më 16 gusht, në të brendshmet e tij u gjet një çorape me 11 qese kokainë me vlerë 407 paund, ndërsa iu sekuestruan edhe 245 paund të tjera para të gatshme.
Gjoka pranoi se kishte hyrë në tregtinë e drogës për të paguar një borxh dhe për të ndihmuar financiarisht babanë e tij të sëmurë në Shqipëri.
Pas këtij dëshmimi, gjykatësi James Patrick komentoi:
“Duhet të ketë shumë njerëz të sëmurë në Shqipëri.
Është rasti i dytë sot që dëgjoj të njëjtën histori, herën e parë ishte për një nënë të sëmurë”.
Pak orë më parë, po i njëjti gjykatës kishte dënuar Argent Balën për një vepër tjetër penale, kultivim kanabisi në një zonë industriale në South Brent.
Edhe ai kishte përmendur probleme familjare dhe mungesën e të ardhurave.
Gjykatësi shtoi me ironi se Shqipëria “nuk ka një Shërbim Kombëtar Shëndetësor”, duke lënë të kuptohet se shumë shqiptarë po e përdorin gjendjen shëndetësore të familjarëve si justifikim për veprimtari kriminale.
Ilber Gjoka, i cili rezulton pa precedentë penalë në Britani, u dënua me 20 muaj burg për posedim droge me qëllim shpërndarjeje.
Gjykata pranoi se ai e kishte pranuar fajin që në fazat e para dhe se ndoshta do të vuajë 40% të dënimit, por u la të kuptohej se ai mund të dëbohet nga Britania pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.





