ITALI, 04 mars 2013 – Në vitin 2012, rreth gjysmë milioni ndërmarrje kanë për titullarë shtetas të huaj, 5,8% më shumë se një vit më parë. Në vendet e para renditen marokenët, kinezët e shqiptarët. Edhe pse të pakta në numër, ndërmarrjet e kosovarëve janë ato me rritjen më të lartë në përqindje: në një vit janë shtuar me 37,6%. Shifrat bwhen publike nw njw raport tw Unioncamere nw Itali.

Ndër shtetet nga vijnë titullarët e ndërmarrjeve, konfirmohet i pari Maroku me 58.555 titullarë. Në vend të dytë është Kina me 42.703 emigrantë që kanë hapur ndërmarrje në Itali dhe në vend të tretë Shqipëria, me 30.475 titullarë ndërmarrjesh. Edhe pse të tretët në renditje për numër ndërmarrjesh, rritja vjetore e ndërmarrjeve të shqiptarëve mbetet nën rritjen mesatare të të gjitha ndërmarrjeve të të huajve: në një vit ndërmarrjet e shqiptarëve janë shtuar me 549 njësi apo me 1,8%. Edhe pse të pakta në numër, vetëm 920, ndërmarrjet e shtetasve kosovarë kanë rritjen vjetore më të lartë në përqindje: +37,6%.

Ndërsa në shifra absolute, rritjen vjetore më të lartë e kanë parë ndërmarrjet me titullarë nga Bangladeshi që janë shtuar me 3.180 njësi.

Kontributi i të huajve në shtimin e ndërmarrjeve private gjatë vitit 2012, sipas Unioncamere, “ka qenë vendimtar për të ruajtur pozitiv bilancin  anagrafik të të gjithë sistemit sipërmarrës italian (që gjatë vitit të shkuar është rritur me vetëm 18.911 njësi)”.

Ndërmarrjet e të huajve janë të pranishme kryesisht në telekomunikacion (34,9% të të gjithave kanë titullarin të huaj), në konfeksionimin e artikujve të veshmbathjes (24%) në punimet e specializuara të ndërtimit (18,9%).

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/