Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka bërë me dije këtë të mërkurë se Shqipëria ka lidhur marrëveshje me Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që qytetarët të udhëtojnë atje pa viza.
“Në mbledhjen e qeverisë kemi kaluar dy marrëveshje të rëndësishme të cilat shtojnë akoma më tej numrin e vendeve ku shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza. Më posaçërisht kemi lidhur marrëveshje me qeverinë e Republikës Popullore të Kinës dhe me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe. Të dyja këto marrëveshje do të krijojnë lehtësi të shtuar për qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të udhëtojnë drejt këtyre vendeve”, u shpreh Xhaçka.
“Nga momenti i hyrjes në fuqi të marrëveshjeve nuk do të kenë më nevojë për viza hyrëse”, shtoi ajo.
Ministrja shtoi se po punohet për të fuqizuar më shumë pasaportën shqiptare.
“Po punojmë me shumë seriozitet për ta fuqizuar sa më shumë pasaportën shqiptare. Për ta zgjeruar sa më shumë hapësirën ku qytetarët shqiptarë mund të lëvizin pa viza. Është një proces që kërkon kohë dhe kujdes por që ka filluar të japë rezultate konkrete”.