Kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Europian nga shtetasit shqiptarë vijojnë të jenë të larta edhe këtë vit, ndonëse jo në ato nivele të vitit 2022.

Por, një pjesë e madhe e tyre po urdhërohen të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Eurostat bëri të ditur se në tremujorin e dytë të vitit 2023, 105 865 qytetarë jo të BE-së u urdhëruan të largoheshin nga një vend i Bashkimit Europian dhe gjithsej 26 600 u kthyen në një vend tjetër pas një urdhri për t’u larguar.

Shtetasit shqiptarë renditen të dytët nga vendet e gjithë botës që janë kthyer pas urdhrit për t’u larguar.

Sipas Eurostat, Gjeorgjia (9%) përbënte shumicën e të kthyerve, e ndjekur nga Shqipëria (8%), Moldavia (5%), Turqia (5%) dhe India (4%).

Në total, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, numri i shtetasve jo-BE të urdhëruar të largohen u rrit me 9%, ndërsa numri i njerëzve të kthyer në një vend tjetër u rrit me 29%.

Në krahasim me tremujorin paraardhës të këtij viti, numri i urdhër largimeve është ulur me 5%, ndërsa kthimet kanë mbetur në vendnumëro.

Shumica e atyre që janë urdhëruar të largohen nga BE kthehen në vendet jashtë Bashkimit Europian. E njëjta situatë është edhe në tremujorin e dytë të vitit 2023, ku 76% e individëve u kthyen në vendet jashtë unionit.

Marokenët dhe algjerianët përbënin pjesën më të madhe të atyre që u urdhëruan të largoheshin nga territori i BE-së në tremujorin e dytë të 2023 (8% secili), të ndjekur nga qytetarët e Turqisë (5%), Gjeorgjisë (5%) dhe Afganistanit (4%).

Të dhënat sipas shteteve Franca kishte numrin më të madh të urdhrave për t’u larguar nga qytetarët me shtetësi nga një vend jashtë BE-së të ndjekur nga Gjermania (10 600) dhe Greqia (7 095).

Të dhënat e mëparshme të Eurostat bënë të ditur se për vitin 2022, në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.

Për gjithë 6 mujorin e këtij viti, aplikimet për azil kanë qenë më të ulëta, duke arritur në 3,535, shifër që është 28% më e ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.