*Bazuar në Indeksin Botëror të të Dhuruarit 2015, studim i Fondacionit britanik të Ndihmës dhe të Bamirësisë, Shqipëria gjendet në vendin e 83-të, nga 130 ekonomi të ekzaminuara dhe “shquhet” mes fqinjëve ballkanas për bujarinë më të madhe…

Çdo ditë ne përballemi me zgjedhje se si të shpenzojmë paratë, duke u bazuar nga kërkesat dhe nevojat. Ndërsa, kur bëhet fjalë për të dhuruar para për një kauzë apo arsye tjetër, vjen një tjetër vendim.

Kërkuesit sugjerojnë se të shpenzosh para tek të tjerët mund të përmirësojë dhe sjellë lumturinë te njeriu, ashtu sikurse studime të fundit tregojnë se mund të sjellë edhe shëndet fizik më të mirë, shkruan Forumi Ekonomik Botëror, raporton “Monitor”.

Bazuar në Indeksin Botëror të të Dhuruarit 2015, studim i Fondacionit Britanik të Ndihmës dhe të Bamirësisë, Shqipëria gjendet në vendin e 83-të, nga 130 ekonomi botërore.

Ky indeks njihet në të gjithë botën si një studim matës dhe krahasues të bujarisë për shumë shtete. Ai mat tre anë të bujarisë: të japësh para, të japësh kohë dhe të ndihmosh një të huaj.

Në renditjen botërore, Mianmari kryeson listën, i ndjekur nga SHBA dhe Zelanda e Re. I fundit në listë është Libani.

Në renditjen rajonale, Shqipëria i ka kaluar shtetet fqinje, duke u renditur e para më bujare, teksa e ndjek Maqedonia e 86-ta, Bosnja dhe Hercegovina e 88-ta, Mali i Zi i 98-ti, Kosova e 116-ta dhe më pak “bujar”, Serbia e 118-ta, e gjendur gjithashtu në 10 vendet e fundit në studim.

Sa i përket nënfaktorëve të studiuar për këtë indeks, Shqipëria zë vendin e 59 në botë për të ndihmuar të huajt, e 77-ta për të dhuruar para dhe me performancën më të keqe, e 122-ta për kohë të shpenzuar në punë vullnetare.