Itali, 6 korrik 2014 – Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vrasja e 23 vjeçarit shqiptar Novi Kaçorri, në qytetin e Bronit, provincë e Pavias, policia italiane ka publikuar identitetin e vrasësit të të riut dhe e ka shpallur në kërkim në të gjithë vendin fqinjë, madje në kërkime është përfshirë edhe Interpoli.
Sipas medieve italiane, Kaçorri është vrarë mbrëmjen e së premtes nga shqiptari tjetër, Sokol Miza, 30 vjeç, i martuar dhe me dy fëmijë të mitur, i cili banonte në të njëjtin pallat me viktimën e tij.
Mësohet se 23 vjeçari Kaçorri ka shkuar në apartamentin e Mizës, së bashku me kunatin e tij, për të sqaruar një debat që kishte lindur për 500 euro. Deri pak ditë më parë, Sokoli kishte strehuar kunatin e Kaçorrit, që ishte në arrest shtëpie, dhe pretendonte një shumë prej 500 eurosh.
Pikërisht ky ka qenë motivi i konfliktit mes palëve që përfundoi në mënyrë tragjike për të riun Kaçorri. Sokoli dhe Novi kanë nisur të përleshen në shkallët e pallatit ku banonin, në qendër të Bronit, dhe gjatë sherrit, Miza e ka goditur disa herë me thikë 23 vjeçarin.
I plagosuri është dërguar nga e fejuara e tij në urgjencën e spitalit të Stradellës, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë Miza është larguar menjëherë me automjetin e tij Opel Tigra dhe megjithë kërkimet e policisë, nuk është bërë ende i mundur arrestimi i tij.
Në momentin kur karabinierët kanë shkuar në pallat kanë gjetur gruan e Mizës duke larë gjakun nga shkallët e pallatit. Në shpjegimin e dhënë për karabinierët ajo ka deklaruar se po e hiqte gjakun që të mos trembeshin fëmijët.
Mediat italiane raportojnë se autori i krimit, Sokol Miza, nuk ishte një emër i panjohur për karabinierët, pasi vetëm pak ditë më parë emri i tij kishte dalë gjatë hetimeve që po kryhen për zbardhjen e një vjedhjeje të ndodhur në një lokal në Broni.
Mësohet se si viktima ashtu edhe autori i krimit, ishin emigrantë të rregullt në Itali.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





