Itali 15 maj 2014 – Një punëtor shqiptar, 56 vjec, banor në Provincën e Varezes ( Itali) për mbi dy dekada, u përball me togat e zeza italiane nën një akuzë të rëndë. Ai, që në vitin 1986, pak muaj pas martesës, kishte filluar ta rrihte gruan, madje edhe kur ajo ishte shtatzënë. “Zanatin” e dajakut e vazhdoi edhe kur emigruan në Itali, pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
E shoqja ka treguar për dajakun e vazhdueshëm, që i jepte bashkëshorti për cfarëdo lloj sebepi. Gruaja pyetjes se si e kishte duruar dajakun për gati 30 vjet iu përgjegj se kështu janë zakonet në Shqipëri. Gruaja ka lindur për të duruar burrin.
Ky kryefamiljar i dhunshëm rrihte jo vetëm gruan, por edhe femijët. Sebepi i dajakut ishte një notë e keqe në shkollë apo mos kryerja e një detyre familjare apo pune shtëpie. Sot cifti ka tre fëmijë. Më i vogli arriti moshën madhore në 2013.
Në 23 gusht 2013 burri pasi e lidhi gruan te krevati, ia zuri gojën me shami dhe e rrahu barbarisht. Më në fund tre fëmijët e bindën të ëmën, që pas ndihmës së parë mjekësore të bëntë denoncim për të shoqin. Në shtator, sapo kryefamiljari i dhunshëm zbriti në Aeroportin e Malpensas, u arrestua. Gruaja dhe tre fëmijët i druheshin një reagimi të dhunshëm, hakmarrës të familjarëve të të arrestuarit, sepse ai para se të transferohej familjarisht në afërsi të qytetit port të Durrësit, e kishte origjinën nga një zonë malore, ku ende praktikohet një kod mesjetar hakmarrjeje të përgjakshme në vend të ligjeve modern të shteteve evropiane.
Burri në sallën e gjyqit fyeu dhe kërcënoi me jetë gruan italisht dhe shqip. Ftesës së gjykatësit për të mos përdorur një gjuhë të tillë, ai ju përgjegj me fyerje kundër gjykatësit. Për këtë shkak gjykatësi urdhëroi largimin e të pandehurit nga salla e gjyqit.
Familjarët i kërkuan gjykatës, që gjyqi të zhvillohej pa praninë e gazetarëve. Kjo kërkesë u pranua nga gjykata. Gazetarëve ju kërku të mos bëhet publik emri i kryefamiljarit të dhunshëm, sepse kështu bëhet mjaft e lehtë edhe identifikimi i viktimave të tija.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





