Itali, 1 shtator 2014 – Një italian mbi 60 vjeç, banor i zonës së Riva del Garda u arrestua me akuzën e nxitjes së të miturave për prostitucion. Ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me tetë vajza të ndryshme 19, 20 dhe 21 vjeçare.

Të gjitha kishin qenë minorene në momentin, kur kishin kryer marrëdhënie për herë të parë me pensionistin italian, sepse kjo histori me prostituta minorene kishte filluar në vitin 2010. Pensionisti u ofronte shtëpinë e vet apo autokamperin, që të rinjtë të bënin festa me alkool dhe drogë. Ai më pas kundrejt favoreve seksuale u mbushte telefonin, i ftonte për dreka e darka romantike, u blinte veshje apo edhe smartphone me çmime që varionin nga 150-250 euro. Fatkeqësisht të teta vajzat vinin nga familje me probleme sociale, kështu që ato ishin jashtë kontrollit familjar.

Qefliu plak ra pre e pasionit të vet. Njëra nga vajzat, me të cilat ai kishte marrëdhënie ishte Maria Terminiello, 22 vjeçe, e cila kishte bërë një fëmijë me shqiptarin Sajmir Kaçi, po 22 vjeç. Çifti Terminiello-Kaçi dhe një italiane, 24 vjeçare H.M. e kërcënonin plakun se do ta denonconin për veprimet, që kishte kryer. Ato kishin një filmim të bërë me celular, ku qefliu plak bashkë me dy minorenet shikonte filma porno e më pas kryente me dy vajzat lodra erotike.

Treshja kishte arritur t’i zhvaste plakushit 20 000 euro në para kesh apo çeqe bankare. Kur kërkesat për para u bënë të papërballueshme pensionisti iu drejtua karabinierëve. Pas hetimeve të hollësishme u arrestua Sajmir Kaçi, që ishte në arrest shtëpie për kryerjen e një tjetre vepre penale. U arrestua edhe Maria Terminiello, por u la në arrest shtëpie, sepse kishte një foshnje në ngarkim, ndërsa H.M. po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/