Itali, 25 gusht 2014  – Shqiptarët, kur ikin në emigracion, shpesh herë e kanë vështirë të lënë pas zakonet apo veset karakteristike shqiptare. Një prej këtyre veseve është dhuna në familje, sidomos rrahja e gruas nga bashkëshorti. Vetëm në Itali që nga janari i këtij viti 30 shqiptarë janë në burg ose në proces gjyqësor (me masë sigurie më të butë) për rrahjen e bashkëshorteve.

Rasti më i fundit është edhe ai i Egentjan Yzeirajt, 31 vjeç (fotoja e marrë nga Facebook i Egentjanit), i cili u arrestua nga karabinierët e qytezës së Cerinjolës (rajoni i Puljes), sepse kishte rrahur gruan.

Dhunimi i gruas ishte bërë në sy të dy fëmijëve të çiftit, të moshës dy dhe 6 vjeç. Nuk ishte hera e parë, që Egentjani e rrihte bashkëshorten, por kësaj rradhe ai e bëri për spital.

Sherri ndodhi në makinën e çiftit, ndërsa po ktheheshin nga Shqipëria për në Breshia. Si shkak i sherrit këtë herë shërbyen grindje të vjetra midis dy krushqive.

Egentjani është pronar i firmës Merina Frutta S.a.s. me qendër në Breshia, në  rrugën Vincenzo Gioberti,53.

Pas rrahjes, bashkëshortja e Egentjanit, 27 vjece u shtrua në spitalin “G. Tatarella” të Cerinjolës me diagnozën traumë kranike dhe dëmtime të kapakëve të syrit.

Mjekët parashikojnë që gruaja do të shërohet për rreth 25 ditë. Karabinierët e arrestuan Egentjanin në kushtet e flagrancës dhe e dërguan në burgun e Foxhias.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/