Itali, 29 gusht 2014 – Për mediat italiane është bërë diçka rutinë publikimi i lajmeve me emigrantë shqiptarë, që rrahin gratë, njëlloj si lajmet që kanë të bëjnë me hajdutët shqiptarë apo transportuesit e shpërndarësit e drogës. Lajmi i rradhës në këto media është për 20 vjeçarin Kejvin Shini, i cili ka rrahur të dashurën italiane 18 vjeçare.

Ngjarja ka ndodhur në qytezën e San Donas, në provincën e Venetos. Kevini e ka goditur me grushta në fytyrë të dashurën duke e gjakosur rëndë.

Ai i ka rrëmbyer edhe çantën e dorës, ku ajo kishte celularin, në mënyrë që vajza të mos njoftonte policinë. Vajza duke përdorur një celular tjetër ka njoftuar karabinierinë.

Karabinierët e kanë arrestuar në flagrancë Kejvinin, i cili është përleshur me forcat e rendit në komisariat. Pasi i është bërë një injeksion me qetësues, ai është dërguar në burgun e Venecias me akuzat rrahje, plagosje, grabitje me dhunë si dhe goditje e punonjësit të shtetit për shkak të detyrës.

E dashura e Kejvinit u shtrua në spital me hematoma dhe laceracione (çarje të mishit) në fytyrë, të cilat gjykohen se janë të shërueshme brenda 50 ditëve.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/