Një 41-vjeçar shqiptar që jetonte në Cologna Veneta, në Veneto të Italisë, humbi tragjikisht jetën si pasojë e një aksidenti në shtëpi.

Mediet italiane bëjnë me dije se viktima është F. Rroshi. Ai kishte zbritur në katin e poshtëm të shtëpisë së tij për të pirë cigaren e fundit përpara se të shtrihej, siç bënte zakonisht. Më pas u dëgjua një zhurmë që zgjoi bashkëshorten e tij. Duke menduar se kishte rënë një prej orendive të shtëpisë, ajo zbriti poshtë.

Por në fakt gjeti të shoqin në fund të shkallëve pa ndjenja. U përpoq t’i jepte ndihmën e parë, por pavarësisht përpjekjeve të saj dhe shërbimeve të emergjencës, për Rroshin nuk mund të bëhej asgjë.

Ai la pas bashkëshorten dhe dy djemtë të moshës 14 dhe 10 vjeç.