6 shtator 2015 – Një futbollist me origjinë shqiptare përballë kombëtares kuqezi. Ky ishte Riza Durmishi, mbrojtësi i djathtë i Brondby-t, që në “Telia Parken” luajti ndeshjen e parë si titullar në përfaqësuesen e Danimarkës.
21-vjeçari me origjinë nga Tetova, por i lindur në Danimarkë rrëfeu emocionet e sfidës kundër Shqipërisë, duke treguar se mbetet i lidhur vetëm me fanellën e nordikëve.
“Nuk e fsheh faktin që duke luajtur me Kombëtaren e Danimarkës realizova një ëndërr të fëmijërisë. U emocionova kur qëndrova në fushë dhe këndova himnin së bashku me shokët e mi të skuadrës. Sfida e së premtes ishte paksa speciale, pasi përballë kishim Shqipërinë. Por, në momentin kur nisi loja, nuk e mendova më këtë fakt. Isha i përqendruar vetëm të zhvilloja një ndeshje të mirë”.
Mbrojtësi rrëfeu zhgënjimin për barazimin dhe konfirmoi se Danimarka tashmë duhet t’i fitojë dy sfidat e mbetura jashtë fushe me Armeninë dhe Portugalinë për të shpresuar kualifikimin në Euro 2016.
“Zhgënjimi është mëse normal kur nuk merr tri pikët, pavarësisht se krijon shumë raste. Por, duhet te ecim përpara dhe të mendojmë për sfidën e radhës. Fillimisht duhet të fitojmë në Armeni dhe më pas në ndeshjen e fundit në Portugali, për t’u kualifikuar direkt në Euro 2016. Jemi nën presion, por besoj se do t’ia dalim”. 21-vjeçari Riza Durmishi ishte mes lojtarëve më të spikatur në fushë për Danimarkën, së bashku me portierin Schmeichel, Jorgensen, Jakob Poulsen dhe Yussuf Poulsen.
/portali DurresLajm/