Ledjon Brakaj, 36-vjeçari shqiptar i cili u arrestua në Maltë për një vrasje të dyfishtë në Greqi në vitin 2015 dyshohet se ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Një oficer grek i dalë në pension, Thanasis Katerinopoulos tha për Star se “nuk ekziston një krim i përsosur”.
“Hetuesit kontrolluan shtëpinë, mblodhën të gjitha provat e gjetura në vendin e krimit, duke përfshirë ADN-në e autorit. Nga ADN-ja u identifikua dhe më pas u kontrollua. Është lëshuar një urdhër-arresti dhe personi ndodhet në Maltë, ku është arrestuar nga autoritetet. Siç thashë, nuk ekziston një krim i përsosur, përderisa hetuesit e bëjnë punën e tyre siç duhet”, u shpreh ai.
Ish-zyrtari i lartë i policisë greke thotë se krimi ishte i organizuar mirë, por u bë një gabim, që rezultoi fatal për shqiptarin.
“Në të kaluarën ka pasur krime po aq mizore, vetëm këtu ndryshimi është se pasi vrau dy personat i vuri flakën shtëpisë. Por e patë që pavarësisht zjarrit kapela nuk digjej, e kanë marrë oficerët që bënë kontrollin dhe ja ku u gjet identiteti i këtij njeriu, tani do të çohet në prokurori dhe ndoshta atje do të zbulojë nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë apo e ka kryer i vetëm. Nuk ka gjasa që ai ishte vetëm, ky është vlerësimi im”, zbuloi Katerinopoulos.
“Mendoj se ka pasur bashkëpunëtorë. Nuk ka shans, ky është vlerësimi im. Duhet të kenë qenë dy në shtëpi, nipi do të kishte reaguar por arriti ta mposhtte. Logjika thotë se kishte një tjetër”, përfundoi ai.





