Tiranë, 6 gusht 2014 – Triumf kuqezi në kampionatin europian të bilardos për paratërinj që po zhvillohet në Portoroz të Sllovenisë. Dhe ai që ngre lart flamurin shqiptar është i riu Eklent Kaçi. Në konkurrimin e disiplinës 10 bëri një përfaqësim model, duke u kurorëzuar nënkampion Europe. Në finalen përballë bilardisti rus Maksim Dudanets, 15-vjeçari u mposht në shifrat e përgjithshme 6-3.
Ndeshja që vlente sa gjithë Europiani nisi me një avantazh të kundërshtarit të Kaçit 3-1, 5-1. Sportisti ynë nuk dorëzohet dhe beson te titulli, pasi deri këtu nuk kishte ardhur rastësisht. Kaçi fiton terren karshi Dudanets dhe çon rezultatin në 5-3. Por rusi shuan përfundimisht shpresat e sportistit tonë me fitoren 6-3.
Një sukses që ndez krenarinë kombëtare të çdo shqiptari, kësaj here në një sport tjetër jo siç jemi mësuar me sportet e traditës në arenën ndërkombëtare. Në mëngjes Kaçi do të konkurronte në kampionatin europian në disiplinën 8, sfidë të parë të cilën e mbylli në favorin e tij me rezultatin e ngushtë 6-4 kundër përfaqësuesit polak Viktor Zielinski.
Ndërkohë raundi i dytë i vuri përballë si sfidant bilardistin e Kombëtares finlandeze Vili Kokonen të cilit nuk i dha asnjë shans duke e mposhtur bindshëm me shifrat 6-0. Gara kontinentale për talentin kuqezi të stekës vijon me kualifikuesen ndaj turkut Osman Sansiloi. Në këtë Europian marrin pjesë 152 bilardistë, përfaqësues nga 28 shtete. Kaçi shoqërohet nga trajneri Xhelil Malushi, psikologu Juxhin Kallço, si dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





