Një 36-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri pranë Bashkisë së Grau Ruiz, në periferi të Guayaquil, Ekuador. Media vendase “ElUniverso”, raporton se shqiptari i identifikuar si Iler Hidri, u ekzekutua mes rrugëve të quajtura “39” dhe “Ch”.

Sapo zbriti nga makina, ai u qëllua në shpinë nga një burrë i paidentifikuar në orën 20:00 të mbrëmjes të së martës.

Autori, menjëherë pas vrasjes, u largua me motor, por policia ekuadoriane dyshon se ka patur edhe një bashkëpunëtor. Policia po heton për lidhjet e mundshme që mund të ketë patur shqiptari kohët e fundit me persona të tjerë.

Në momentin kur u qëllua, shqiptari kishte veshur këmishë, pantallona të shkurtra dhe shapka me gisht. Atij iu gjetën tre telefona celularë dhe një sasi parash. Megjithatë nuk dihen ende arsyet pse shqiptari u vra, por si pistë kryesore është ajo e pazareve të drogës.