Fatos Malaj, ndërmjetësi ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit në Greqi, njëkohësisht kreu i organizatës “Arogi” për mbrojtjen e emigrantëve shqiptarë, bëri me dije se do të kandidojë për deputet në parlament grek. Pas viteve të shumta përkrahjeje për bashkëkombësit, Malaj ndërmerr një hap tjetër edhe më madhor.
“Demokraci do të thotë të jesh i përgjegjshëm. Do të thotë të depërtosh brenda vetvetes dhe të peshosh veprimet. Veprimet e mia, jo të shtetit. Pikërisht ky detaj kërkon tepër kujdes: shteti sovran është gjithmonë individi. Kur referohemi tek shteti, në fakt flasim për përgjegjësinë personale, që në vijim ka peshë në jetën e të gjithë shoqërisë. Nëse ideja e demokracisë në epokën postmoderne është trazuar (si në nivel europian, ashtu edhe në nivel botëror), ndodhi sepse vlerat e mbrojtura tradicionalisht nga boshti human tashmë janë gërryer. Nuk ekziston më hierarkia transparente, jemi thjesht të humbur në konfuzion. Pa asnjë dyshim, po kalojmë fazën e riklasifikimit dhe ripërcaktimit të edukimit arsimor, të fesë, të shoqërisë, të familjes, të marrëdhënieve, të martesës, të vetë qenies tonë”, – thotë Malaj.
Ky i fundit do të garojë për postin e deputetit krah partisë së majtë “Lëvizje për Ndryshim”. “Bota postmoderne e përcaktuar ekskluzivisht nga njeriu postmodern krijon një ide globale të demokracisë, mes një përpjekjeje trazimi të kulturave të shumta në një të vetme europiane. Pika e dobët e perceptimit modern fshihet pikërisht tek ky fakt, se asgjë më nuk ka një profil të caktuar, esencë, zë përkatës-vlerat tona janë përtjetërsuar dhe përzier në masë të tillë saqë as identifikohen më. Gjuhë e përbashkët, këndvështrime të njëjta, monedhë e njëjtë, negociata të njëjta, vota të njëjta etj. Përzierja është vërtet praktike, por edhe e rrezikshme sepse në këtë katrahurë kemi humbur përgjegjësinë personale. Këtu kërkohet mendje e kthjellët dhe e thjeshtëzuar. Çdo njeri hedh hapat e jetës bazuar në virtytet që konsideron me vlerë”, thekson Malaj. Kreu i Arogi synon të jetë ai shqiptar që do të përfaqësojë më së miri emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi.
“Demokracia është një ide, ose më saktë një sistem idesh. Kur ky sistem trazohet në nivel të tillë saqë të deformohet, të humbasë vlerën, atëherë edhe vetë njeriu humbet besimin në këtë ide. Rezultati është nënvleftësimi i vlerave dhe virtyteve që dikur themelonin hierarkitë, prodhonin kulturë. Përgjithësisht, bota europiane zgjerohet dhe rrit fëmijë (ne, domethënë) të cilët duan të jenë të lirë, të kenë të drejta të barabarta, të bashkëjetojnë në demokraci, të përfaqësohen nga individë të fuqishëm dhe paralelisht të kenë zero përgjegjësi personale përkundrejt çdo katastrofe apo tragjedie. Europa në këtë moment funksionon si një organizatë e mbyllur, e fortifikuar nga një ekonomi e fuqishme. Nëse je pjesë e saj, je në rregull, nëse je jashtë, mëso të notosh! Ndoshta ky është edhe përcaktimi më i saktë e modern i Demokracisë Europiane!”, thotë Malaj.
/GSH/