Shqiptari 26-vjeçar Julgert Bejaj, rezident në Martignano, është arrestuar nga policia italiane pasi iu gjet në shtëpi kokainë dhe heroinë.
Mediet italiane shkruajnë se kohët e fundit lëvizjet e tij kishin tërhequr vëmendjen. Kështu, sapo ai doli nga banesa e tij, efektivët ndërhynë duke i kërkuar që t’i kontrollonin një çantë sportive që mbante në shpinë.
Brenda çantës kishte rroba të ndryshme, poshtë të cilave ishte fshehur edhe 2 kilogramë heroinë. Më pas, gjatë një kontrolli në banesën e tij, policia ka gjetur të fshehur në mur edhe 10 kilogramë heroinë dhe 340 gramë kokainë.
Sipas hetuesve të Italisë, vlera e drogës së sekuestruar kapte vlerën e 600 mijë eurove.
Në vitin 2013, Julgert Bejaj u arrestua si pjesë e një operacioni të gjerë antidrogë. Pastaj ai u lirua nga burgu dhe u zhduk. Ose të paktën sipas medieve italiane, ai kishte treguar kujdes që të mos binte në sytë e policisë.