Itali, 9 maj 2014 – Policia e Pesaros arrestoi shqiptarin Aldo Doko, 25 vjeç, banor i qytezës së Montelabatte afër Riminit. I riu shqiptar kishte krijuar një rrjet me 4 anëtarë për shpërndarjen e drogës. Ky rrjet shpërndante drogë në shkollat e mesme të zonës si dhe në kampusin universitar të Urbinos. Duke shfrytëzuar 4 studentë të moshave 15, 18, 21 dhe 22 vjeç, Doko vazhdonte i patrazuar veprimtarinë e tij kriminale.
Ndërsa e pritën një ditë dhe një natë për të zbuluar se ku e fshihte drogë, karabinierët konstatuan se 25 vjeçari shqiptar kishte fshehur 12 kg kanabis në pyll, ku shkonte dhe tërhiqte sasi të vogla herë pas here.
Në banesën e Aldos u gjet një pako me një kilogram kanabis si edhe 500 euro, që u sekuestruan. Në total vlera e drogës që zotëronte i riu shqiptar arrinte në 100 mijë euro. Ky hetim i policisë filloi sepse ndonëse Aldo zyrtarisht ishte pa punë, lëvizte me makinë luksoze Audi A4. Arrestimi i Dokos u krye në kushtet e flagrancës.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





