25 nëntor 2015 – Vritet një tjetër shqiptar në Itali nga pronari i shtëpisë ku kishte hyrë për të grabitur. Viktima e radhës është Valentin Frrokaj, 37 vjeç, i cili është vrarë gjatë natës së shkuar në komunën Lucino di Rodano në provincën e Milanos shqiptari.

Mediet italiane shkruajnë se pronari i banesës, italiani Rodolfo Corazzo, tregtar bizhuterish, pas vrasjes ka thënë para karabinierëve: “Absolutisht që nuk doja ta vrisja, doja vetëm të mbroja familjen time.”

Shqiptari kishte hyrë për të vjedhur me 2 bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët arritën të arratiseshin.

Emri i Valentin Frrokajt është mjaft i njohur nga forcat italiane të rendit. Ai ishte shpallur në kërkim pasi më 7 maj të vitit 2014 ishte arratisur nga burgu Pagliarelli i Palermos ku vuante dënimin me burg të përjetshëm, pasi kishte vrarë një bashkëkombas shqiptar më 23 korrik të vitit 2007 në qytetin e Breshias.

/S.L. portali DurresLajm/