Greqi, 25 mars 2014 – Një i burgosur shqiptar ka qëlluar me thikë një gardian të burgut të Malandrinos në Greqi, i cili ka humbur më pas jetën në spital. Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në orën 13:00 me orën tonë. Siç shkruan media greke, shqiptari, i dënuar me burg të përjetshëm, ka goditur me thikë në qafë një gardian 46-vjeçar.
Shqiptari, që sipas mediave quhet Ilia Kareli, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasje, e goditi rojen e burgut 3 herë me thikë në qafë, duke i prerë artierien karotide. Ngjarja ishte e papritur dhe shkaktoi kaos e panik dhe oficerët e tjerë të burgut nuk kanë patur kohë të shmangin tragjedinë.
“Ju nuk më lini që të shikoj nënën time, prandaj unë do marr jetën e njërit prej jush”. Pas kësaj fjalie shqiptari i dënuar për vrasje, ka sulmuar gardianin duke e plagosur në qafë. Ai kishte bërë kërkesë në drejtorinë e burgut për leje që të shikonte nënën e tij që ishte e sëmurë.
Gardiani, babai i dy fëmijëve është transferuar me urgjencë në spital por nuk ka mundur që t’i mbijetojë plagës së marrë.
Kohët e fundit në burgje janë forcuar masat e sigurisë pas informacioneve për trazira të mundshme dhe shkak është projekt-ligji i qeverisë në lidhje me krijimin e një burgu të sigurisë maksimale në Dhomoko. Ka rreth një javë që jashtë burgut të Malandrinos qëndrojnë skuadrat kundër trazirave, MAT.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





