5 nëntor 2015 – Dy vajza të reja ukrainase janë mashtruar nga një shqiptar, i cili i premtoi se do t’iu gjente punë të mirë në Itali, por thjesht ishte një kurth për t’i prostituuar ato.
Dritan Kukaj, 36 vjeç, njihet e krijon miqësi përmes Facebook-ut me një 22-vjeçare ukrainase që jetonte e vetme me gjyshen dhe i premton asaj e një mikes së saj 19-vjeçare punë në një restorant në Romë me një pagë prej 1000 eurosh në muaj, duke i shtuar bakshishet e pagesat e orareve të jashtëzakonshme.
Ishte një ofertë tunduese dhe me shpresën për një jetë më të mirë, ukrainasja pranon.
Kështu, më 16 tetor Dritan Kukaj udhëton drejt Ukrainës për të sjellë në Itali dy vajzat, ku ato më pas panë realitetin e hidhur. Dy nënshtetaset ukrainase detyrohen të punojnë si prostituta e të jetojnë në kushtet e një skllavërie të plotë në banesën e bashkëkombases së tyre Natliya Striyen, 37 vjeçe, mikeshës së vjetër të shqiptarit. Që të dyja duhet të prostituonin vetëm me klientë italianë në makinë, për shumën 20 euro.
Përpara se të shpëtojnë nga robëria e shqiptarit, ato tentuan dhe më parë të arratisen, por u zbuluan dhe u kërcënuan me vdekje nga ai. Vetëm natën e 1 nëntorit ato arrijnë të arratisen nga skllavëria e shqiptarit duke kërkuar ndihmë në Konsullatën ukrainase në qytetin e Napolit.
Më pas u bë i mundur arrestimi i 36-vjecarit shqiptar dhe i ukrainases Natliya Striyen, të akuzuar për sekuestrim personi, ushtrim skllavërie e shfrytëzim prostitucioni, shkruajnë mediet italiane.
/S.L. portali DurresLajm/