Erion Hasanbelliu është shqiptari që i shpëtoi atentatit të shtunën në Belgjikë, duke ngelur i plagosur.

43-vjeçari i njohur edhe si Mikel Rakipllari është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.

Erion Hasanbelliu u ekstradua nga Belgjika drejt Shqipërisë më 21 tetor të vitit 2013 pas kërkesës së Interpol, pasi ai bashkë me vëllanë akuzoheshin se në vitin 2002, kanë vrarë në Belgjikë, Julian Çelën dhe kanë plagosur rëndë, Kasandër Nogan.

Sipas informacioneve, Vëllai i Erionit, Geron Hasanbelliu është vënë në pranga më 14 qershor 2013, në rrugën e Barrikadave në Tiranë.

Arrestimi dhe ekstradimi i tij erdhi pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 7 shtator 2009, e ka dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim për gjakmarrje e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim për gjakmarrje“ e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Sipas Policisë së Shtetit, Erion Hasanbelli në bashkëpunim me vëllanë e tij Geron Hasanbelli kanë vrarë shtetasit Julian Çela dhe plagosur Kasandër Noga, ku ky i fundit dyshohet se ka lidhje të forta me botën e errët të krimit.

Ai gjithashtu është përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale si atentati ndaj Sokol Çapjas dhe Bledar Muçës.

Shërbimet e policisë janë njoftuar për ngjarjen rreth orës 20:20 pas thirrjeve në numrin e urgjencës, teksa dëshmitarët raportuan për një sërë të shtënash në qendër të kryeqytetit belg, në lagjen “Place De Brouckère”.

Ngjarja po shqyrtohet nga Prokuroria Publike e Brukselit, ndërsa policia po punon për gjetjen e autorit/ëve të ngjarjes.

Kryebashkiaku i Brukselit, Philippe Close dënoi të shtënat dhe siguroi se policia po bën gjithçka që mundet për të garantuar sigurinë e vizitorëve në kryeqytet.

“Shpresoj që policia të mund të arrestojë autorët sa më shpejt të jetë e mundur. Janë mobilizuar shumë patrulla. Dua të theksoj se të gjithë duhet të ndihen të sigurt në Bruksel dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi me ndihmën e shërbimeve të policisë”, shkroi ai.