Karabinierët e Forlit në Itali arrestuan gjatë një operacioni antidrogë një shqiptar të përfshirë në rrjetin e trafikut të kokainës.
Aksioni u krye mes zonave të Civita Castellana dhe provincës së Viterbos, ku u arrestuan dje dy persona, të cilëve iu gjet një sasi e konsiderueshme droge.
Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar 50-vjeçar dhe një 31-vjeçar me origjinë pakistaneze. Ata u arrestuan me akuzën e posedimit me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike. Si provë materiale u sekuestrua sasia prej 2,5 kg kokainë që po transportohen me makinë.
Policia e Forlit kishte monitoruar lëvizjet e pakistanezit, i cili besohet se ishte i përfshirë në trafik droge, për njëfarë kohe. Pika e kthesës erdhi kur ai u pa duke takuar shqiptarin pesëdhjetë vjeçar. Të dy më pas u larguan me makinë së bashku, duke ngjallur më tej dyshimet e hetuesve.
Të bindur se të dyshuarit sapo kishin grumbulluar drogë, karabinierët i ndoqën dhe i ndaluan pranë pikës së pagesës së autostradës Orte, në zonën e Viterbos, ndërsa po udhëtonin përgjatë autostradës E45 drejt Romagnas.
Një kontroll i automjetit dhe i personave që ndodheshin në të gjeti 2.5 kilogramë kokainë, mbi 4,000 euro në para të gatshme dhe tre telefona celularë. I gjithë materiali u sekuestrua, përfshi edhe makinën.
Dy personat e arrestuar u transferuan në burgun e Viterbos. Gjykatësi i gjykatës së Viterbos më pas konfirmoi arrestimet, duke urdhëruar paraburgim për njërin prej dy individëve.





