Kapen 44 kg kokainë të një cilësie shumë të pastër, të cilat po të përfundonin në tregun e zi do të kapnin shifrën e miliona eurove.

Ky është përfundimi i arritur nga policia e Romës, pas sekuestrimit të sasisë së madhe të drogës dhe arrestimit të një 45-vjeçari shqiptar, i cili drogën po tentonte ta transportonte me makinën e tij të “modifikuar”.

Arrestimi i shqiptarit u bë gjatë një kontrolli të policisë rrugore. Në makinën e tij u gjet një vend i krijuar posaçërisht për fshehjen e sasisë së madhe të kokainës, e cila ishte e paketuar në 24 pako të presuara, raportojnë mediet lokale.

Efektivët e policisë kanë kontrolluar më pas shtëpinë e shqiptarit në komunën e Guidonias dhe aty kanë sekuestruar rreth 150 mijë euro cash, 2 pistoleta si dhe një sërë instrumentesh pune për kokainën. Gjithashtu policia ka vënë nën sekuestro edhe makinat luksoze të shqiptarit.

Identiteti i shqiptarit nuk është bërë me dije ende, por sipas të dhënave të policisë, ai njihej nga forcat e rendit si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike prej disa vitesh.