Policia italiane e Peruxhias ka arrestuar një 27-vjeçar shqiptar, i cili u kap me 6.5 kg kokainë.

Droga ishte fshehur në airbag-une makinës së tij, tip “Fiat 500”. Ai u ndalua në superstradën E25 të Peruxhias, teksa udhëtonte nga veriu i Italisë. Kanë qenë disa manovra të çuditshme rrugore të kryera nga korrieri shqiptar i drogës, të cilat kanë shtyrë policinë italiane ta ndalojnë automjetin.

Shqiptari, që figuron rezident me dokumente të rregullta në një qytet në veri të Italisë, para policëve tha se kishte ardhur për pushime në qytetin e Peruxhias.

Mediet italiane raportojnë se kokaina ishte e një cilësie mjaft të lartë, e po të dilte në treg, do të sillte një përfitim prej 1 milion eurosh. Analizat e kryera nga policia shkencore vërtetuan se kokaina ishte e pastër 90% , e vulosur në markën TX.