Një shtetas shqiptar ka mbytur bashkëshorten e tij për arsye xhelozie.

Mediet britanike shkruajnë se ngjarja e rëndë për të cilin vijon gjyqi, ka ndodhur në gusht të 2015-s në Convent Way, Southall, në apartamentin e çiftit, ndërkohë që fëmijët ishin duke fjetur në dhomën tjetër.

Para gjykatës, autori i dyshuar 40-vjeçar Agim Isaku, e ka mohuar akuzën duke thënë se gruaja e tij 34 vjeçe, Elife Beqa, vdiq gjatë përleshjes, kur ai u mbrojt pasi ajo iu vërsul atij me një thikë.

Ndërsa akuza pretendon se shqiptari e ka vrarë të shoqen duke e mbytur, pasi rezulton se burri ishte xheloz sepse ishte informuar se gruaja e tij kishte fjetur me një burrë tjetër aziatik.

“Situata u acarua kur ai po i kërkonte llogari pse kishte fjetur me një burrë tjetër me origjinë aziatike. Elife vdiq, zonja dhe zotëri, pas një episodi të dhunshëm. Gjatë episodit të dhunshëm ajo ishte rrahur, kafshuar dhe ishte e mbytura në vdekje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë .

“Kur kjo ndodhi dy bijtë e saj të rinj ishin në gjumë në dhomën ngjitur dhe për fat të mirë nuk kanë parë gjë, deri sa erdhi policia”­, u tha në gjyq.

Sipas akuzës, gruaja kishte shenja dhune, rrahje, kafshimi dhe mbytjeje, ndërkohë që burri shenja shumë të lehta, me gjasë nga tentativa e gruas për t’u mbrojtur.