13 qershor 2015 – Lorenc Hoxha, 27 vjeç, me tumor në kokë do të lërë spitalin "Royal Victoria" në Angli për ta vazhduar terapinë në Shqipëri.
Trajtimi mjekësor i shqiptarit kaloi disa peripeci. Ndërsa ishte futur ilegalisht në tokën angleze, 27-vjeçari do të arrestohej nga Policia e Emigracionit më 6 qershor, duke anuluar kështu operacionin. Katër ditë më vonë ai do të linte qelitë e burgut, për t'u shtruar sërish në spital.
“Zotëria është në gjendje të qëndrueshme dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Pas shqyrtimit të gjendjes së tij nga një ekip i specializuar mjekësh, është arritur në konkluzionin se pacienti është i aftë për të udhëtuar drejt vendit të tij si dhe për të marrë trajtim pa qenë nevoja të shtrohet në spital. Një qendër e njohur mjekësore ndërkombëtare në Shqipëri ka treguar dëshirën për të vazhduar për të siguruar kujdes efektiv dhe mbikëqyrjen e mirëqenies së këtij zotërie”, thonë mjekët e stafit të spitalit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/