Të mërkurën me anë të forcave të njësive speciale gjermane, është arrestuar një 31-vjeçar shqiptar. Arsyeja është dëshmia e një personi se ai mbante të ngujuar nën kërcënim ish-bashkëshorten dhe fëmijën, përcjell albinfo.ch.
Gjatë ngujimit mendohet se i akuzuari ka qëlluar edhe me armë. Siç bëri me dije më vonë policia në orën 12.40, forca të shumta policore mësynë shtëpinë në Landhausstraße (Esslingen). Pak më parë gruaja kishte arritur ta lëshojë banesën e padëmtuar, ndërsa djali 6-vjeçar ishte në shkollë.
31-vjeçari ishte në dhomat e vajzës 2- vjeçare të gruas, ndërsa iu dorëzua policisë pa rezistencë. Fëmija ishte i padëmtuar dhe gjatë arrestimit nuk u dëmtua askush.
Nga bastisja nuk është gjetur asnjë armë zjarri. Kundër 31-vjeçarit nga Kosova, i cili qëndron ilegalisht në Gjermani, Drejtoria e Policisë Kriminale Esslingen ngriti akuzë penale për privimin e lirisë dhe kërcënimit.





