Një shqiptar 26-vjeçar shkaktoi një aksident të rëndë në tunelin Misox të Zvicrës, duke lënë të vdekur grua 67-vjeçare, ndërsa ai vetë ka pësuar dëmtime të lehta.
Gruaja ka gjetur vdekjen e menjëhershme pas përplasjes së fortë midis dy automjeteve në tunel, pasi shqiptari po lëvizte në korsi të kundërt.
Mediat zvicerane bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në autostradën A 13, ku makina e shqiptarit po udhëtonte për në Ticino, në kantonin Grisons të Zvicrës, ndërsa është përplasur në tunel me automjetin tjetër në mënyrë frontale, duke shkaktuar thuajse shkatërrimin e plotë të dy makinave.
67-vjeçarja vdiq në vend, ndërsa shqiptari u dërgua në spitalin San Giovanni në Bellinzona.
Prokurori dhe policia kanë nisur hetimet se pse automjeti nga Shqipëria përfundoi në korsinë e kundërt. Rruga mbeti e mbyllur përreth 4 orë. Në vendin e ngjarjes shkuan edhe 15 zjarrfikës dhe dy ambulanca.





