Arianit Beshiri është zgjedhur kryetar i komunës së Morbach në Gjermani, një komunë e vogël që është pjesë e Rheinland-Pfalz, duke u bërë shqiptari i parë që merr këtë post. Ai ka qenë vetëm 1-vjeç kur emigroi në Gjermani, por pak nga pak u bë mjaft i dashur për komunitetin prej rreth 11 mijë banorësh,të cilët edhe e votuan për një mandat 8-vjeçar.

Pas marrjes së detyrës, ai shprehet se do të ketë prioritet shëndetësinë.

“Në 2022 jam zgjedhur si nënkryetar i federatës së futbollit, kështu që angazhimi im ka përfaqësuar shumë aspekte sociale dhe ekonomike, duke punuar në Kuvend. Inspirimi ka ardhur dhe për politikë, por qëlloi dhe fati. Ky ka qenë dhe rrugëtimi im. Ka qenë një projekt që unë të hyja në fushatë të konkuroja përballë një personi që është rritur në Gjermani. Mirëpo duke i fituar zemrat e njerëzve, duke bërë fushata, arrita të fitoja mbi 60% të votive në kuadër të SPD-së. Historia ime që kam shkuar në Gjermani si refugjat, arritjet që kam bërë këtu, pra historia ime ndikoi tek votat e popullsisë. Prioriteti më i madh është që të përmirësojmë më shumë sistemin e shëndetësisë. Unë e kam pasur një shembull shumë të mirë që një shoku im ka qenë kryetar në një zonë tjetër. Duhet t’i mbajmë dhe t’i fitojmë mjekët, kjo ka qenë ajo që populli se ka prit. Mandatin e kam 8 vite këtu në Gjermani”,- thotë Beshiri.

Shqiptari nga Kosova u ndal dhe tek dashuria për vendlindjen. Beshiri deklaroi se vjen shpesh në Kosovë, por edhe në Shqipëri, teksa shtoi se ka planifikuar një javë pushime në Kosovë.

“Në shtëpi ne flasim shqip, vjet kam ardhur në Tiranë 3 herë se më pëlqen. Pas fushatës planifikova të shkoj në Kosovë për disa pushime”, – përfundoi ai. /vizionplus.tv