Detaje të reja dalin në procesi gjyqësor për vjedhjen e bujshme të bizhuterive të çmuara me vlerë 7 milionë euro në shtëpinë e një trashëgimtareje të pasur, 62-vjeçare, në rrugën ‘Giolitti’ të Torinos, ngjarje e ndodhur më 20 shtator të 2015-ës.

Pavarësisht se e gjithë pasuria e vjedhur nuk u gjet, një nga të pandehurit, 42-vjeçari shqiptar Zef Zefi ka pranuar të rrëfehet para trupit gjykues, raportojnë mediet italiane.

Me anë të një letre të lexuar në seancën gjyqësore Zefi pohoi se për vete kishte mbajtur një pjesë të sendeve me vlerë; një gjerdan, një statujë dhe një rubin.

“I kam groposur në Milano dhe jam gati që të shkoj atje bashkë me policinë për të gërmuar”-pohoi shqiptari, duke shtuar se “po marr përgjegjësitë e mia dhe do isha budalla nëse do jepja informacione të rreme”. 

Madje Zefi i kërkoi zonjës falje për vjedhjen e kryer. Policia italiane, një vit më parë  arrestoi 4 persona, shqiptarin Zef Zefi, serbin Denis Jovanovic (i cili kishte qenë në burg bashkë me shqiptarin) si dhe dy femra, Maddalena Rizzi, 63 vjeçe dhe Silvye Lanza, 41 vjeçe (ne foton kryesore serbi Denis Jovanovic dhe Silvye Lanza, të fejuar në kohën kur ndodhi vjedhja).

Autorët kishin arritur të hynin në banesën e italianes, pasi kishin kopjuar çelësin, në bashkëpunim me të fejuarën e njërit prej të pandehurve. Nënë e bijë kishin njohje me pasaniken italiane dhe kishin vënë re se në shtëpinë e saj kishte sende me vlerë dhe kështu vunë në dijeni serbin dhe shqiptarin Zef Zefi.