Kopetë e ujqve në Batincë të Studenican duket se kanë nën kontroll këtë fshat, pasi të paktën tufa poresh 5-6 ujqve sillen çdo natë, duke vënë në rrezik jetën e banorëve. Dhe mbrëmja e djeshme ishte njëri prej këtyre rasteve dramatike, ku një ujk ka hyrë në vadhën e deleve, duke mbytur 13 qengja, si dhe duke lënë të kafshuar rëndë 5 dele të tjera. Por, ujku ka rrezikuar edhe jetën e pronarit të fermës, i cili pasi e ka pikasur kafshën tinëzare, ka ndërhyrë për ta larguar.
Përleshja me ujkun, sipas rrëfimit të tij, ka zgjatur 40 minuta, dhe siç mund ta shihni në këto pamje, ka përfunduar me pasoja të rënda. Pavarësish vrasjes në fund të ujkut, pronari i fermës, aktualisht në spital, bart rreth 50 kapëse në fytyrë, për shkak të çarjeve. Sipas rrëfimit, ai e kishte kapur fillimisht për bishti ujkun, për ta nxjerrë nga vadha, por ujku i është vërsulur në fytyrë. Shpëtimi i vetëm ka qenë sëpata e varur në mur, për të ndarë hesapet.
Për ngjarjen rrëfejnë edhe familjarët dhe banorët, të cilët kanë dëgjuar piskamat, gjatë përleshjes me ujkun.
“Unë flija në shtëpi dhe njëherazi dëgjova disa piskama, disa zëra. Kur u zgjova e pashë se babi im kërkonte ndihmë dhe unë vrapova këndej nga ferma dhe e pash atë me sakicë në dorë i gjithë i larë në gjak. Mendova se po rrihet me ndokënd dhe pastaj ai më tregoi se ujku e kishte sulmuar dhe unë direkt e mora babin dhe e dërgova në spital. Rreth 40 minuta ai ka luftuar me atë brenda, 13 qengja janë të ngordhur dhe 2 të mëdha, ndërsa ne kemi rreth 80 dhenë”, u shpreh djali i pronarit.
Për patrullimin e zakonshëm të ujqve në këtë fshat, rrëfejnë edhe banorët e tjerë, të cilët prej kohësh jetojnë në frikë.
“Përveç këtij, ka edhe 6-7 që rrotullohen këndej. Ishin dy mbrëmë këndej, por qentë e përzunë njërin ndërsa tjetrin nuk arritën. Çdo natë lëvizin këndej, por mbrëmë ja na sulmoi”, u shpreh një banor i fshatit Batincë.
Situata ende nuk ka zgjidhje, pavarësisht se në mënyrë të fshehtë ndonjë gjahtar i ekzekuton ujqërit. Nga Komuna, siç treguan banorët, nuk është marrë asnjë masë konkrete, kundër rrezikut nga ujqërit. /Alsat.m