GJERMANI, 28 prill 2013– Një incident me armë ka ndodhur të shtunën pasdite në qytezën Alpen të Gjermanisë, ndërsa protagonistë i kësaj ngjarje ka qenë një emigrant shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie, kur shtetasi shqiptar, i dëshpëruar nga ndarja me ish të dashurën e tij, kishte grabitur një pistoletë dhe se me anë të saj ai kishte ndërmarrë hapin për të rikthyer të dashurën.
Ai ka arritur ta takojë ish-dashurinë e tij pranë marketit "Aldi" në Alpen, mirëpo ajo ka refuzuar rikthimin. Refuzimi ka tensionuar emigrantin shqiptar, i cili ka shkrepur armën, dhe ka goditur me një plumb në qafë vajzën e divorcuar. Në këtë incident ka pësuar dëmtime dhe një kalimtare e rastit. Policia gjermane kishte rrethuar gati tërë qytezën dhe është vënë në kërkim të autorit të incidentit, i cili është arratisur nga vendi i ngjarjes, transmeton ina.
Dy helikopterë të policisë janë ende duke kërkuar rajonin por deri më tani pa sukses. Mbi këtë vepër janë informuar që të gjitha pikat kufitare në tërë Gjermaninë duke bllokuar edhe aeroportet shtetërore. Ndaj personit në kërkim, gjykata ka aktivizuar një fletë-arrest ndërkombëtar duke vendosur atë në listën e “kuqe” gjë që tregon se personi është tepër i rrezikshëm dhe i armatosur.
Rrugët kryesore të “Bundeslandit” NRW janë të bllokuara ende nga trupat e armatosura të policisë, të cilët kan vendosur pika policore të kontrollit.





