Një prokuror në Zyrih ka kërkuar burgim të përjetshëm për një shqiptar, i cili kishte vrarë një bashkëkombës për shkak të një borxhi.

Në një ditë dimri të vitit 2009 në rrethinën e Zyrihyt kishte ndodhur një krim i rëndë. Dy burra dhe një grua po ecnin me veturë, kur njëri nga burrat nxori revolen dhe vrau bashkudhëtarin me plumb në kokë. Gruaja në veturë ishte e dashurua e dorasit, e cila nuk kishte ditur asgjë për planet e partnerit të saj. Pas kryerjes së krimit dorasi e hodhi kufomën në një mal. Shkak i këtij krimi të kryer nga një shqiptar kundër një shqiptari tjetër ishte një borxh prej 30 mijë eurosh.

Dorasi kishte ardhur nga Milano në rrethinën e Zyrihut për të “rregulluar punën e borxhit”. Pas ekzekutimit ai u kthye në Itali me të dashurën e tij të tronditur. Siç njofton gazeta “Tages Anzeiger” dorasi u arrestua nga policia italiane dhe në 2010-n u ekstradua në Zvicër. Që nga atëherë ai gjendet në paraburgim.

Gjatë procedurës hetimore ai kishte heshtur; edhe përpjekja e psikiatrit gjyqësor për të folur me të kishte dështuar. Në një ekspertizë të shkruar nga psikiatri thuhet se ekziston rreziku që dorasi të vazhdojë karrierën e tij kriminale.

Pjesa e parë e procesit gjyqësor është zhvilluar në dhjetor 2003, njofton “dialogplus”, kur ishte shqyrtuar çështja nëse i akuzuari është fajtor apo jo. Gjykata e kishte pohuar këtë. Pastaj i akuzuari ishte treguar befas i gatshëm të flasë me psikiatrin gjyqësor. Kështu ishte zgjatur procesi.

Në pjesën e dytë të gjykimit prokurori ka kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarin. Sipas prokurorit, i akuzuari kishte ekzekutuar një njeri, i cili po e luste për t’ia falur jetën. Dhe ky nuk ishte rasti i parë.

Në vitin 1998 ky shqiptar ia kishte marrë jetën një afrikani në Itali, i cili kishte plaçkitur një prostitutë, e cila ishte nën mbrojtjen e shqiptarit. Ndonëse edhe më tutje në Milano autoritetet italiane nuk kishin arritur ta arrestonin. Ai u dënua në mungesë me 22 vjet burg. Gjykata do të shpallë vendimin e saj më 19 prill.

Dialog Plus