Një i ri shqiptar ka tentuar që t’i japë fund jetës në qelinë e burgut ku po vuan dënimin në shtetin grek.
Ngjarja e rëndë është shënuar mëngjesin e së dielës, në burgun e Rodos, ku shqiptari 29-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka prerë damarët e dorës me një mjet prerës.
Për shkak të gjendjes së rëndë, pas ndihmës së marrë në spitalin e Rodos, ai është nisur drejt një spitali në Athinë.
Shqiptari është ndaluar pak ditë më parë nën akuzën e vjedhjes të sendeve me vlerë dhe një shumë të madhe parash, në shtëpinë e një shtetasi anglez. Dyshohet se ka varësi nga droga, si dhe mendohet të jetë përfshirë në ngjarje të tjera.





