Itali, 10 korrik 2014 – Policia italiane ka arrestuar një shqiptar dhe ka sekuestruar 58 kg marijuanë. Sipas mediave italiane, shqiptari sapo kishte mbërritur në Itali me anë të një trageti që vinte nga Greqia, dhe ndodhej në makinë bashkë me dy vajzat e tij minorene, 14 dhe 16 vjeç.

Lënda narkotike e gjetur nga policia ishte e ndarë në 63 pako dhe ishte mbuluar me pluhur kafeje për të shmangur nuhatjen e qenve. Gjatë inspektimit të makinës, shtetasi shqiptar B.P., 42 vjeç ka deklaruar se kishte mbërritur në Itali për të kaluar disa ditë pushime me vajzat e tij.

Por ky fakt nuk i ka bindur policët të cilët kanë vijuar kontrollin e imtësishëm të automjetit. Ishin qeni i policisë ai që arriti të nuhasë drogën duke çuar në prangosjen e 42 vjeçarit shqiptar.

Sipas autoriteteve italiane, nëse droga do të kishte dalë në treg, do të sillte rreth 600 mijë euro fitime. Shtetasi shqiptar është vënë në pranga me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndërsa vajzat i janë besuar disa familjarëve të afërm që jetonin në Itali, në pritje për tu kthyer në Shqipëri tek e ëma.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/