30 korrik 2015 – Një shqiptar është bërë i famshëm në New York për ëmbëlsirat që gatuan në “Grand Central Oyster Bar & Restaurant” për më shumë se 20 vjet.

Shqiptari Januz Noka, nga Kukësi, punon në këtë restorant që nga viti 1993, dhe rreth 2500 klientë në ditë shijojnë ëmbëlsirat e tij. Noka, së bashku me dy asistentët e tij, krijon vizatime të ndryshme mbi ëmbëlsirat e tij ndërsa vendin ku punon e quan “më të bukurin në Manhattan”.

Nga ora 5:30 e mëngjesit e deri në orën 2 pasdite, ai shërben ëmbëlsirat me pak kalori, pasi restoranti më shumë ofron ushqim deti. Përveç ëmbëlsirave, Noka është i zoti edhe në shërbimin e akulloreve të cilat janë sezonale në këtë restorant. Për të, ëmbëlsirat janë art.

“Nëse nuk shtohen përbërësit në kohën e duhur… ju nuk mund ta riparoni ëmbëlsirën. Ajo shkatërrohet nëse nuk është kombinimi i duhur i sheqerit dhe erëzave. Duhet të jetë një kryevepër. Që do t’i bëjë të uritur klientët sapo ta shikojnë ëmbëlsirën”, ka thënë shqiptari i talentuar.

Ai ka rrëfyer se të jetonte në Amerikë ishte ëndrra e tij. Puna e tij e parë në New York ka qenë pjatalarës.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/