1 maj 2014 – Gëzim Gashi është këngëtari që mahniti publikun me potencën vokale të treguar në “Tigger”, këngën dhe klipin e parë që u evidentua aq shumë nga audienca shqiptare dhe ajo e huaj, një këngë që pushtoi televizionet dhe u klikua shumë edhe në “Youtube”. Ishte kjo këngë që e dërgoi deri në Hollivud.
Gëzim Gashi, dukej se doli nga askundi, por në fakt ai kishte punuar një kohë të gjatë me veten për të arritur në këtë pikë.
Gashi është nga Kosova dhe jeton së bashku me familjen e tij në Suedi. Ai ka bashkëpunuar me producentë të njohur ndërkombtarisht si Boy Rekless, producentin që ka punuar me Jason Derulon, Demi Lovaton dhe Usher.
Gëzimi sapo është kthyer nga Los Angelos ku ka qëndruar gjatë për të punuar për këngën e radhës, e cila është titulluar "What it Feel like". Kjo këngë është punuar nga Dre Knight dhe Sam Salter, producentë këta që kanë prodhuar muzikë për emra si Drake, Frank Ocean, Jay Z, Kanye Ëest edhe shqiptaren Bebe Rexha.
Ky sukses i Gashit nuk ka kaluar pa u vënë re, pasi me të janë marrë shumë nga mediet e huaja dhe posaçërisht ajo suedeze, që i ka rezervuar hapësirë speciale në gazeta, radio dhe televizion.
Gëzimi, së fundi ishte i ftuar në programin televiziv më të famshëm të Suedisë "Malou efter tio", ku ka folur për veten, punën dhe origjinën e tij.
Gashi, për “Indeksonline” tha se ndihet shumë mirë që më në fund ëndrra e tij po bëhet realitet.
“Po ja dal mbanë dhe kjo më bën të lumtur mua dhe besoj të gjithë shqiptarët që më ndjekin. Kam thënë që do t’ju bëjë krenar. Në këtë program televiziv, që është më i njohuri në Suedi unë kam folur për muzikën, veten, familjen. Kam treguar edhe se si kemi ardhur nga Kosova në Suedi”,- ka thënë për portalin “Indeksonline” këngëtari që tashmë në Suedi dhe më gjerë njihet si “Gashi”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





