9 shtator 2015 – I shkurtër, i dobët, por shumë i rrezikshëm. Kështu e përshkruan polici Arben Daci, Agim Madanin, me të cilin u ballafaqua personalisht të shtunën mbrëma. Plot 11 plumba tha se janë shkrepur në tentativë për të kapur Madanin që po terrorizon banorët e fshatrave të Pejës.
Vjedhje dhe pjesëmarrje në disa sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Për këto njihet Madani tashmë në Kosovë. Por ajo që e bën edhe më të rrezikshëm këtë njëri, është fakti se di të përdorë mirë armën, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ai është shumë profesionist. Ka qenë pjesëtar i njësisë 'Brisku' në Shqipëri”, tha polici Arben Daci, që ka rrëfyer për gazetën ngjarjen e 5 shtatorit, kur u qëllua me dy plumba nga Madani. Njërin në shpinë e tjetrin në këmbë.
Mediat e Kosovës shkruajne se shtetasi i Shqipërisë, Agim Madani, i cili të shtunën mbrëma plagosi në fshatin Radavc të Pejës pjesëtarin e policisë Arben Daci, ende nuk është kapur nga policia. Ai dyshohet se është duke u fshehur në fshatin Jabllanicë të Pejës.
Burime informimi, bëjnë të ditur se policia dje ka zhvilluar aksion për kapjen e Madanit, por pa sukses, pasi nuk ka arritur ta kapte të dyshuarin.
/portali DurresLajm/