Një 64-vjeçar shqiptar, Mark Preçi, i akuzuar për tentativë përdhunimi ndaj një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara, pritet të paraqitet para autoriteteve gjyqësore për t’u përballur me akuzat ndaj tij. Ngjarja e rëndë, e regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe e denoncuar nga nëna e vajzës, dyshohet të ketë ndodhur më 21 shkurt, brenda banesës së familjes. Sipas dëshmisë së nënës, vajza 25-vjeçare dhe motra e saj binjake kanë një shkallë aftësie të kufizuar mbi 95% dhe që prej vitit 2016 jetojnë me të ëmën në një apartament gjysmëbodrum, ku ajo kujdeset plotësisht për to.

 dëshminë e saj për autoritetet, nëna ka treguar se e njihte të pandehurin prej vitesh, përmes të njohurve të përbashkët, por se nuk kishte marrëdhënie të afërta me të. Sipas saj, prej rreth një viti e gjysmë ai paraqitej shpesh në banesë për t’i sjellë ushqime. Ditën e ngjarjes, nëna ishte larguar për rreth 20 minuta për të shkuar në farmacinë e lagjes, pasi njëra prej vajzave kishte thyer syzet. Kur u kthye në banesë, ajo pretendon se e gjeti 64-vjeçarin në dhomën e ndenjjes, në një situatë komprometuese me njërën prej vajzave.

Sipas rrëfimit të saj tronditës, vajza po bërtiste, ndërsa i pandehuri kishte rrobat e ulura. Ajo ka deklaruar se ndërhyri menjëherë duke bërtitur, ndërsa burri u largua drejt banjës. Në përpjekje për ta ndaluar, ajo pretendon se e goditi me një send kuzhine, por më pas rrëshqiti, ndërsa 64-vjeçari, sipas saj, e goditi me shqelma para se të largohej nga banesa.
Nëna ka treguar gjithashtu se dera e apartamentit ishte e mbyllur kur u kthye dhe se hasi vështirësi në hapjen e saj, duke shtyrë një objekt të panjohur që ndodhej në bravë. Autoritetet dyshojnë se i pandehuri mund të ketë pasur një çelës rezervë të ndërtesës. Rasti është në hetim, ndërsa pritet që 64-vjeçari të dalë para gjykatës për t’u njohur me masat dhe për të dhënë shpjegimet e tij lidhur me akuzën e rëndë.