Një shqiptar 42-vjeçar u arrestua në Castelbello të Bolzanos, nën akuzat për tentativë vrasjeje, pasi u përpoq të përplaste me makinë disa herë një person që lëvizte me biçikletë.
Mediet italiane raportojnë se ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së hënës kur një burrë me origjinë maqedonase po ecte anës rrugës me biçikletë së bashku me qenin e tij, kur u godit nga makina e shqiptarit nga pas.
I rrëzuar përtokë dhe në dukje një ngjarje aksidentale, në ndihmë të të lënduarit ndaloi një shofer tjetër makine. Por 42-vjeçari shqiptar i dha sërish gaz makinës duke prekur këtë herë edhe makinën e ndaluar.
Shqiptari nuk e kishte realizuar ende objektivin, pasi tentoi ta përplaste edhe për herë të tretë. Fatmirësisht në këtë rast maqedonasi kishte arritur që të lëvizte në kohë.
Duke dështuar edhe në tentativën e tretë, shqiptari që udhëtonte me një makinë të madhe, u largua nga vendi i ngjarjes.
Ishte pikërisht i lënduari i cili telefonoi policinë dhe kjo e fundit arriti ta gjente shqiptarin. I lënduari mori dëmtime të shumta në trup e kokë, por pa rrezik për jetën.





