Një 42-vjeçar shqiptar ndodhet në spital, në gjendje të rëndë me djegie të shkallës së tretë. Gjithçka ndodhi pas një debati në shtëpi me gruan e tij me të cilën ishte në proces ndarjeje, raportojnë mediat lokale italiane.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 18.40 në apartamentin e çiftit shqiptar në rrugën Molino Vecchio, në Gorgonzola (Milano).
Sipas policisë, burri dhe gruaja (identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur) kanë nisur të diskutojnë lidhur me vendimin e gjykatës për ndarjen e tyre.
Burri ka hedhur benzinë (që e mbante në një bidon) në disa dhoma të banesës dhe ka tentuar të spërkasë edhe gruan e tij, një 41-vjeçare, pronare e një kompanie të vogël pastrimi.
Ai ka lagur edhe rrobat e tij me benzinë dhe pavarësisht tentativës së gruas për ta bindur të ndalonte, ka ndezur një çakmak.
Gruaja arriti të shpëtojë duke u hedhur nga ballkoni i katit të parë, ndërsa burri u përfshi nga flakët dhe pas pak sekondash ka dalë dhe ai nga ballkoni.
Ngjarja është parë nga një dëshmitar që ka thirrur ambulancën.
Çifti ka tre fëmijë, 14, 22 dhe 23-vjeç, të cilët nuk ishin në shtëpi në momentin e ngjarjes.





