Një ngjarje e pazakontë është regjistuar natën ë ndërrimit të viteve në Greqi, ku një shqiptar ka shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortes i dehur dhe ka tentuar të futet brenda në banesë me dhunë, duke frikësuar kështu dhe vajzën e vogël 10 vjeçare.
Sipas raportimeve të mediave greke, 45 vjeçari ka thyer xhamin e dritarës së shtëpisë, dhe kur nuk ja ka dalë të futet brenda, ka hipur në makinën e tij dhe ka përplasur disa makina të parkuara.
Në momentin që autoritetet kanë mbërritur në vend për ta arrestuar, ai ka bërë rezistencë si dhe ka refuzuar t’i nënshtrohet testit të alkoolit.
Shqiptari ka dalë ditën e djeshme përpara gjykatës teksa ka kërkuar falje dhe ka pranuaj fajësinë duke thënë se kishte konsumuar alkool përpara se të shkonte në shtëpinë e ish-bashkëshortes.
Ai ka pranuar gjithashtu se kishte hyrë ilegalisht në Greqi në këmbë, rreth 20 ditë më parë.
Arsyeja që i ka shkaktuar dëm shtëpisë së nënës së fëmijës së tij, sipas tij, ka qenë se ka dashur të festojë ditëlindjen e vajzës së tyre me ta, por ajo nuk e ka lënë.
Gjykata e shpalli fajtor 45-vjeçarin për hyrje të paligjshme në vend, dhunë në familje, dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe refuzim për t’iu nënshtruar testit të alkolit, duke e dënuar me 18 muaj burg, 3700 euro gjobë dhe heqjen e lejes së drejtimit për dy muaj.